UBT News

​Egbo zbulon objektivat që ka me Prishtinën

Ish-trajneri kampion me KF Tirana 2019/20, Emmanuel Egbo, 50-vjeçar nga Nigeria me shtetësi shqiptare, është emëruar kryetrajner i Prishtinës.

Egbo ishte portier i shumë skuadrave, ndër to edhe Bylys e Tirana, kurse më vonë edhe si trajner i portierëve dhe kryetrajner i të dy këtyre skuadrave.

Egbo në punën e tij në ekipin e Prishtinës do t’i ndihmoj nga afër edhe trajneri nga Shqipëria, Eldiano Topi.

Menjëherë pas emërimit të tij, Egbos tha se nuk e kishte aspak të vështirë t’i thoshte po ofertës së Prishtinës, ndërsa ka zbuluar se me skuadrën synon së paku daljen në Evropë për sezonin e ardhshëm, përcjellë KosovaPress.

“E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës. Nuk ishte shumë e vështirë të pranoja ofertën. Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina dhe nuk e pata të vështirë të pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin. Nga afër nuk e njoh ekipin, por kam ndjekur skuadrën edhe në të kaluarën, por edhe tash së fundi, nga pamjet televizive në Shqipëri, por edhe nga video-ndeshjet. Por, objektivat janë të qarta, arritja më e pakët është Evropa, pse jo edhe më lartë, por kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar me të gjithë punëtorët e klubit deri te futbollisti më kryesor i skuadrës”, ka thënë Egbo.

Exit mobile version