UBT News

Edy Reja flet pas miqësores së bamirësisë në Vatikan

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja ka qenë pjesëmarrës në një ndeshje të organizuar në shenjë bamirësie nga Papa Françesku, e cila ishte nën kujdesin e Vatikanit dhe të klubit të Lazios.

Në qendrën sportive të Lazios, Formelo, është zhvilluar ndeshja me sloganin “Të gjithë vëllezër” mes Organizatës Botërore të Romëve dhe përfaqësueses së Vatikanit.

Në stolin e përfaqësueses së Vatikanit ishte trajneri i Kombëtares shqiptare, Edy Reja, kurse në ulësen e trajnerit te Organizata Botërore e Romëve ishte Maurico Sarri.

Ndërsa drejtësinë në këtë ndeshje, respektivisht në rolin e gjyqtarit ishte sulmuesi i Lazios dhe i Italisë Ciro Immobile.

Qëllimi i kësaj miqësoreje ishte për të grumbulluar fonde për të përkrahur projektin “Një shkelm përjashtimit” të promovuar nga kisha e Romës për të ndihmuar përfshirjen e romëve si dhe për të luftuar kundër formave të diskriminimit ndaj tyre.

Në lidhje me këtë miqësore ka folur trajneri Edy Reja i cili u shpreh i nderuar që ka marrë ftesë nga presidenti i Lazios Lotito për ta drejtuar ekipin e Vatikanit.

“Ishte një event i rëndësishëm. Mora një ftesë nga presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, i cili u tregua i gatshëm për të ngritur strukturën e nevojshme sportive dhe për të organizuar këtë miqësore. Papa Françesku e kishte kërkuar këtë ndeshje për t’i shprehur mirënjohjen edhe komunitetit rom, që është i margjinalizuar”, tha Reja.

Më pas, trajneri Reja tregoi edhe momentet më të mira të kësaj ndeshjeje.

“Një nga momentet më të bukura që më la mbresa ishte fakti se në ekipin tim unë kisha një djalosh me sindromën down, i cili shënoi dy gola. Festa e atij djaloshi pas golave ishte emocionuese, ai festonte me një entuziazëm dhe lumturi të paparë, ishte vërtetë një moment prekës dhe lumturie të madhe. Momenti tjetër kulmor ishte audienca e Papa Françeskut. Në momentin e parë i thashë: ‘Kam përgjegjësi të madhe, sepse sot jam trajneri i skuadrës së Vatikanit’”, tha trajneri i Shqipërisë Reja.

Në fund, Reja tregoi që ky aktivitet ishte diçka i jashtëzakonshëm, i cili ka lënë shumë mbresa dhe ka përcjellur energji pozitive te ai.

Exit mobile version