Në Prishtinë, Gjilan, Graçanicë, Lipjan, Fushë Kosovë e Obiliq për dy vjet është organizuar projekti “Edukimi për të Gjithë”. Projekti i organizuar nga “People in Need”, ka pasur për qëllim përmbushjen të drejtave arsimore të fëmijëve dhe adoleshentëve me nevoja të veçanta nga komunitetet e cenueshme në Kosovë. Nga shkollat e gjashtë komunave janë trajnuar mbi 250 mësimdhënës.
Menaxherja e projektit, Njomza Emini ka prezantuar të dhënat e vlerësimit të këtij projekti të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke.
“Objektiva kryesore e këtij projekti ka qenë përmbushja e të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe adoleshentëve të komuniteteve të cenueshme… Qëllimi i vlerësimit ka qenë të vlerësoj impaktin apo ndikimin dhe qëndrueshmërinë e ndërhyrjes së projektit, si dhe të ofroj rekomandime për palët e interesuara në të ardhmen. Vlerësimi ka përfshirë të gjithë komponentët e projektit dhe me fokus ka qenë ndikimi i arritjeve dhe mësimet e dala prej këtij projekti”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se 56 praktikantë kanë ofruar shërbime, ku 91 për qind e prindërve e shohin punën e praktikantëve si kontribut për një edukim të mirë të fëmijëve të tyre.
“Qysh në fillim të projektit e kemi bërë ngritjen e kapaciteteve të dy organizatave tona lokale, ku kemi ofruar trajnim për trajnerët dhe trajnerët janë certifikuar për të ofruar trajnime për mësimdhënësit. Trajnerët e trajnuar kanë ofruar trajnime në tetë shkolla përfituese, përkatësisht gjashtë komuna dhe në total 259 mësimdhënës i kemi trajnuar deri më tani të ndarë në 22 grupe. Afërsisht 70 për qind e mësimdhënësve vlerësuan pesë modulet e trajnimet, pse i kanë vlerësuar? Sepse modulet i kanë përmbajtur temat që mësimdhënësit ballafaqohen me fëmijët me nevoja të veçanta. 94 për qind e mësimdhënësve e kanë rekomanduar trajnimin për mësimdhënësit e tjerë. Dhe 58 për qind e mësimdhënësve i zbatojnë njohuritë që i kanë marrë gjatë trajnimit”, ka treguar ajo.
Në prezantimin e këtij projekti, udhëheqësi i Zyrës në Kosovë të “People in Need”, Ramadan Berisha tha se ky projekt i cili ka zgjatur 30 muaj, ka pasur rol të rëndësishëm te mësimdhënësit, fëmijët e prindërit.
“Ka qenë një projekti i cili nuk ka zgjatur edhe shumë në aspektet e limiteve kohore, por besoj që do ta shihni edhe vet se ka pasur një ndikim sado pak pozitiv gjatë këtyre 30 muajve. Një falënderim i veçantë shkon te përpiluesit e projektit është “Autizmi flet” dhe “Ideas Partnership”, ka thënë ai.
E udhëheqësja e divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në MAShTI, Luljeta Kabashi theksoi se kanë hartuar dokumentet që përkrahin arsimin gjithëpërfshirës.
“Përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta është një qasje shumëdimensionale, bashkimi i profesionistëve, ngritja e kapaciteteve profesionale në shkolla, tash projekti e ka bërë një hap që deri më tani nuk ka qenë shumë i njohur… Fëmijët me nevoja të veçanta kërkojnë qasje individuale, është shumë e rëndësishme që qasja të jetë individuale dhe arritjet me qenë duke u bazuar në potencialin e tyre. Në vitin 2022, MAShTI e ka shpallur vitin për personat me nevoja të veçanta dhe ne jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë me krejt kapacitetet që i kemi”, u shpreh Kabashi.
Drejtori i organizatës “The Ideas Partnership”, Arbon Osmani tha se në kuadër të projektit kanë pasur të angazhuar praktikantë në fushat e logopedisë, psikologjisë dhe pedagogjisë. Sipas tij, praktikantët kanë dhënë kontribut për fëmijët me nevojat e veçanta.
Organizata “People in Need”, e zbatoi këtë projekt me organizatat “The Ideas Partnership” dhe “Autizmi Flet”, nga janari i vitit 2020 deri në qershor të këtij viti.