Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se Edona Maloku Bërdyna është Ambasadorja e re e Republikës së Kosovës në Portugali.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se Edona Maloku Bërdyna është Ambasadorja e re e Republikës së Kosovës në Portugali.
“Dr. Edona Maloku Bërdyna është një figurë e shquar në shkencat sociale, me një karrierë që bashkon hulumtimin akademik, praktikën e aplikuar dhe zhvillimin e politikave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo ka doktoraturë në Psikologji/Shkenca Sociale nga Universiteti Leiden në Holandë, ku edhe ka përfunduar Masterin e Shkencave me vlerësimin më të lartë të dhënë në universitetet holandeze (Cum Laude). Puna e Dr. Maloku Bërdyna është njohur dhe vlerësuar në shkallë globale, duke përfshirë çmimin prestigjioz Otto Klineberg dhe disa njohje ndërkombëtare për ndikimin e saj në ndryshimin social dhe drejtësinë shoqërore”, tha Gërvalla.
Gërvalla shprehet e bindur se me këtë përvojë të pasur dhe vizion të qartë, marrëdhëniet e Kosovës me Portugalinë do të arrijnë nivele të reja të zhvillimit dhe bashkëpunimit.
“Në arsim, kulturë, ekonomi dhe fusha të tjera kyçe, Dr. Maloku Bërdyna do të sjellë një perspektivë të freskët dhe energji të reja për të fuqizuar këto lidhje. Një falënderim për Ambasadorin e deritanishëm, Ylber Kryeziu, për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë këtij shërbimi jashtë vendit”, tha Gërvalla./UBTNews/