UBT News

Edicioni i ri i ‘Hijeve të Bardha’ sjell magjinë e artit në Galerinë Qahili

Festa tradicionale e artistëve, ekspozita “Hijet e Bardha”, hapet më 15 dhjetor, nga ora 19:00 në Galerinë Qahili.

Edicioni i sivjetshëm prezanton punën dhe koleksionin personal të artistit Joseph Jeremiah Langley, një krijues amerikano-francez që i ka kushtuar jetën artit dhe edukimit artistik.

Ekspozita mban titullin “Vizionet poetike të atij që nuk sheh”, e fokusohet në idenë e përjetimit të shumë jetëve brenda një njeriu të vetëm.

Ky edicion ofron një udhëtim vizual dhe emocional që pasqyron përvojat e shumta të artistit: nga vendlindja e tij në Karolinën e Veriut, tek vitet e kaluara në Francë, jeta në cirk dhe krijimtaria e tij multidisiplinare si një figurë nomade që bart artin kudo që shkon.

“Hijet e Bardha” është një ngjarje artistike e përvitshme e dedikuar fundvitit, që bashkon artistë, artdashës dhe publikun e gjerë.

Titulli shërben si metaforë për të përshkruar artin e pastër, të dëlirë dhe madhështor, një dukuri që ndryshon vazhdimisht, ashtu si hijet, të cilat megjithëse nuk mund të shihen kur janë “të bardha”, janë të pranishme, njësoj si sharmi i artit që vepron përtej së dukshmes.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët gjatë gjithë sezonit festiv dhe mund të shikohet deri më 15 janar 2026.

Ky aktivitet është pjesë e programit vjetor të Galerisë Qahili dhe mbahet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /A.Z/UBT News/

 

 

Exit mobile version