UBT News

Edicioni i 17-të i PriFest, skenë globale në Prishtinë

Edicioni i 17-të i Prishtina International Film Festival (PriFest) filloi më 9 shtator 2025.

Në ambientin e Kino Armata, u mblodhën figura të njohura të artit dhe politikës për të festuar kinemanë ballkanike dhe ndërkombëtare.

Festivali u hap me premierën botërore të filmit “Ngryk” (“Bear Hug”) nga regjisori Ilirjan Himaj, një bashkëprodhim Kosovë-Shqipëri.

Ky film poetik eksploron temat e dashurisë, lirisë dhe instinktit për mbijetesë përmes një rrëfimi simbolik mes njeriut dhe natyrës.

Performanca e Teuta Krasniqit si Tina ishte veçanërisht e spikatur, duke sjellë emocione të thella në ekran.

Mbrëmë ishte nata e dytë e këtij evenimenti ku u dha premierë filmi i metrazhit të shkurtër “LAVEZ” nga regjisori Branislav Milatović. Filmi është produksion i Malit të Zi dhe zgjati 16 minuta. Ky projekt vjen si metaforë vizuale dhe emocionale duke paraqitur marrëdhënien mes babait dhe të birit

Përndryshe, PriFest 2025 ofron një program të pasur me 20 filma të metrazheve të ndryshme, përfshirë premiera botërore, evropiane dhe rajonale.

Nuk kanë munguar as disa imazhe të sferës politikë duke qenë kuriozë për këtë ngjarje kulturore në kryeqytet.

 

Fokusi i këtij viti është në bashkëprodhimet me Austrinë, duke hapur rrugë të reja për bashkëpunime ndërkombëtare në industrinë filmike.

Sonte, në natën e tretë të Prishtina International Film Festival do të jepet premierë filmi “Cycle”, në ora 19:30, në Kino Armata.

Ky festival mbaron me 14 shtator 2025.

Përgatiti: A.Z. /UBT News/

Exit mobile version