Shkrimtari i njohur shqiptar, Virion Graçi, veprat e të cilit janë përkthyer në disa gjuhë botërore, sot u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë që të miratojnë kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë.
“Si njeri dhe si shqiptar kërkoj nga institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës të miratojnë kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë. Kjo lulëkuqe duhet të jetë simboli i përkujtimit dhe vigjilencës që gjenocidi të mos lejohet kurrë më në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman, dje ka kërkuar nga Institucionet e Kosovës që të miratojnë kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë. Këtë ajo e ka bërë përmes një letre që i ka drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca si dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Letra e saj është e drejtuar edhe në emër të Shoqatës “Drejtësi për të gjithë”, të cilën ajo e drejton.