Sot (e mërkurë) do të organizohet një protestë në solidaritet me gratë në Iran. Protesta është organizuar nga organizata joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS”, dhe do të nis në ora 12:00 te sheshi “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Irani është përfshirë kohët e fundit nga protestat pas vdekjes së një 22-vjeçareje, e cila ishte arrestuar nga e ashtuquajtura polici e moralit, pasi sipas tyre, nuk kishte veshur në mënyrën e duhur shaminë.
Shumica e protestuesve ishin gra dhe ato hoqën shamitë e tyre të detyrueshme, apo hixhabet gjatë marshimit pas vdekjes së Mahsa Aminit, e cila u ndalua nga policia e mbikëqyrjes së sjelljes nën pretendimet për mosvënien si duhet të shamisë së saj.
Videot në internet tregojnë gra që valëvisin shamitë e tyre, duke brohoritur. Të tjera i kanë djegur ato ose kanë prerë flokët e tyre në shenjë zemërimi ndaj rastit që ndodhi.
Vdekja e Aminit ka zemëruar shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, të cilët e shohin këtë ngjarje si aktin më të fundit të një politike të ashpër të Republikës Islamike ndaj disidentëve dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm të grave të reja nga policia mbikëqyrëse e sjelljes.
Në disa nga demonstratat, protestuesit janë përleshur me policinë.
Ndërkohë, vullnetarët motoçiklistë të njohur si “Basij”, paramilitarë që bëjnë pjesë në Gardën Revolucionare të Iranit, kanë ndjekur dhe rrahur demonstruesit – siç ka ndodhur edhe në protestat e tjera viteve të fundit për ujë, ekonominë e rënduar të vendit dhe arsye të tjera, protesta të cilat janë shtypur me dhunë.
Megjithatë, disa demonstrues vazhdojnë të brohorasin “vdekje diktatorit”, duke kundërshtuar sundimin e liderit suprem Ali Khamenei dhe teokracinë e Iranit, pavarësisht kërcënimeve për arrestim, burgim dhe madje edhe mundësinë e një dënimi me vdekje.