Edhe katër fëmijë të tjerë u vranë në sulmet ruse në Ukrainë, gjatë ditës së kaluar, duke e rritur numrin e fëmijëve të vrarë gjatë kësaj lufte në 238, thanë të mërkurën autoritetet ukrainase.
Një vajzë 11-vjeçare u plagos për vdekje në Kharkiv, ndërsa tre fëmijë 14, 15 dhe 17 vjeç u vranë në Mariupol, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës.
Të paktën 433 fëmijë të tjerë janë lënduar në sulmet ruse që nga 24 shkurti, thanë autoritetet.
Forcat ruse kanë dëmtuar gjithashtu një mijë e 848 institucione arsimore, nga të cilat 173 janë shkatërruar plotësisht, shtuan autoritetet.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën tre mijë e 942 civilë janë vrarë dhe katër mijë e 591 janë plagosur deri tani në luftën e vazhdueshme. Shifra e vërtetë besohet të jetë shumë më e madhe.
Mbi 6,6 milionë njerëz janë larguar në vende të tjera, ndërsa më shumë se 7,7 milionë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët. /UBTNews/