UBT News

Edhe Australia bojkoton Olimpiadën në Pekin

Australia do t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin. Lajmin e konfirmoi kryeministri australian, Scott Morrison, të mërkurën. Morrison u tha gazetarëve më 8 dhjetor se Qeveria kineze nuk ka adresuar një sërë çështjesh, që kanë përkeqësuar raportet me Australinë, përfshirë edhe shkeljet e të drejtave të njeriut në rajonin Ksinjiang.

Ditë më parë Shtetet e Bashkuara kanë thënë se zyrtarët e qeverisë së saj do të bojkotojnë Lojërat Olimpike të Pekinit që do të mbahen në muajin shkurt, për shkak të “mizorive” ndaj të drejtave të njeriut në Kinë, vetëm disa javë pas bisedimeve që synojnë lehtësimin e marrëdhënieve të tensionuara midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Lidhur me bojkotin diplomatik u kundërpërgjigj Kina, e cila paralajmëroi hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nuk dha më shumë detaje./UBTNews

Exit mobile version