Përkundër se kosovarët tash e katër muaj po lëvizin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ata po vazhdojnë të jenë vizitorë besnik ndaj atraksioneve turistike të Shqipërisë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Zana Qela, shpreh se numri i vizitorëve kosovarë ka rritur për 50% gjatë tre muajve të parë të vitit, duke reflektuar pohimet për rritje të numrit të turistëve nga Kosova.
Qela thekson se Shqipëria po bëhet një destinacion gjithëvjetor, duke tërhequr vizitorë jo vetëm për bregdetin, por edhe për turizmin e alpeve, sporteve të aventurës dhe agroturizmin. Përveç Kosovës, numri i vizitorëve nga Italia është rritur trefish më shumë në krahasim me vitet e kaluara.
“Unë mendoj se shqiptarët kudo qofshin në Shqipëri apo në Kosovë, shteti mëmë e kanë destinacionin kryesor. Ne presim të kemi rritje dhe në fakt, tre muajt e parë të këtij viti e demonstruan këtë pohimin tim, sepse në krahasim me një vit më përpara në 3 muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve kosovarë u rrit mbi 50 për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar”, thotë Qela.
Ndërkaq, sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023, rreth 4.4 milionë vizitorë nga Kosova hyjnë në Shqipëri, me një rritje prej 67% në krahasim me vitin 2022. Hyrjet e shtetasve kosovarë përfaqësojnë 43% të totalit të shtetasve të huaj që hyjnë në Shqipëri./UBTNews/