Në ditën ndërkombëtare të shëndetit të dhëmbëve, është mbajtur ecja e gjashtë me rradhë me projektin “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, ku fëmijët u informuan mbi rëndësinë e shëndetit të dhëmbëve, derisa u kërkua nga Qeveria implementimi i ligjit për sigurimet shëndetësore, i cili që nga viti 2014 ka mbetur i pazbatueshëm.
Dentisti i fëmijëve, por njëherësh edhe udhëheqës i projektit ”Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, Xhavit Ujkani tha se kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Qeveria që të nis implementimi i ligjit për detyrimin e fëmijëve për kontrollet te dentisti nën moshën 3-vjeçare, ndërsa nga Ministria e Arsimit kërkojnë të ndalojnë shpërndarjen e ushqimit të pashëndetshëm në institucionet parashkollore dhe fillore.
“Sot po shënojmë ditën ndërkombëtare të shëndetit oral, të shëndetit të gojës të dhëmbëve në përgjithësi. Sot sërish po iu drejtohemi institucioneve tona, Ministrisë së Shëndetësisë por edhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, që vizitat e fëmijëve tek dentisti të bëhen të detyrueshme me ligj para moshës tre vjeçare por kësaj t’i paraprijë implantimi i ligjit për sigurimin shëndetësorë, ligj që është votuar në Kuvendin e Kosovës prej vitit 2014 edhe po kalojmë në prill ku bëhen 8 vite ku nuk ka filluar të implementohet, dhe kjo ndikon në shëndetin e dhëmbëve të fëmijëve në gjeneratat e reja, por edhe në shëndetin e përgjithshëm të popullatës”, tha ai.
Ai po ashtu tha se mosha mesatare e fëmijëve të cilët vizitojnë dentistin është mosha pesëvjeçare. Sipas tij, edhe prindërit duhet të kenë kujdes për edukimin e fëmijëve gjatë pastrimit të dhëmbëve.
“Po ashtu kërkojmë nga Ministria e Arsimit të ndalojë futjen e ushqimeve të dëmshme në institucionet parashkollore dhe fillore në nivel të Republikës së Kosovës, por kësaj t’i paraprijë implementimi i projektit për kuzhinat në kuadër të institucionet parashkollore dhe fillore në të gjithë Kosovën që fëmijët të ushqehem me ushqim të shëndetshëm dhe jo me ushqime të dëmshme e të rrezikshme dhe të manipulohen nga dillerët e duhanit dhe të drogës. Kjo ndikon në shëndetin e dhëmbëve dhe në shëndetin e përgjithshëm dhe në sigurinë e fëmijëve sa qëndrojnë në institucionet parashkollore dhe fillore. Si model është mirë të merret modeli në kuadër të kuvendit komunal të Prishtinës që kanë një kuzhinë popullore që furnizojnë të gjitha institucionet me ushqim të shëndetshëm. Edhe kjo qeveri sikur qeveritë e kaluara, janë ndërruar 5 kryeministra që nga viti 2014 dhe ligji për sigurimin shëndetësorë ka mbete i pazbatueshëm dhe i paimplementueshëm në mungesë të një vullneti të institucioneve tona”, tha ai.
Ky është viti i dhjetë i realizimi të projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, i cili monitorohet dhe bazohet në rekomandimet e komitetit ndërministrorë të programit “Shkollat pormovuese të shëndetit”, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë (MAShT), Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.