“EA” e ka konfirmuar se “FIFA 23” nuk do të shfaqë Kombëtaren e Rusisë apo ndonjë nga klubet ruse në videolojën e saj.
Kjo gjë erdhi si pasojë e Rusisë për të pushtuar Ukrainën në fillim të këtij viti, duke shkaktuar një luftë gjithëpërfshirëse dhe duke rezultuar në shumë jetë të humbura.
Ekipet ruse fillimisht u tërhoqën nga “FIFA 22” menjëherë pasi pushtimi i agresorit rus filloi në muajin shkurt.
Megjithatë, është marrë një vendim për t’u siguruar që klubet apo kombëtarja ruse të mos përfshihen në edicionin e ardhshëm të videolojës.
Në një deklaratë për “EuroGamer”, “EA” tha:
“EA Sports qëndron në solidaritet me popullin ukrainas dhe si shumë zëra në të gjithë botën e futbollit, bën thirrje për paqe dhe fundin e pushtimit të Ukrainës. Në përputhje me partnerët tanë në FIFA dhe UEFA, EA Sports nuk do të përfshijë kombëtaren ruse apo klubet ruse në FIFA 23”.
EA ka treguar vazhdimisht solidaritetin e saj me Ukrainën gjatë muajve të fundit, ku përveç tërheqjes së ekipit kombëtar dhe klubeve ruse nga “FIFA 22” dhe “FIFA 23”, kompania gjithashtu ka ndaluar të gjitha shitjet e lojërave dhe përmbajtjeve në Rusi dhe aleatin e saj, Bjellorusinë.