UBT News

Përfundon evakuimi në Trepçë: Dalin edhe 18 minatorët e fundit që mbetën të ngujuar në Stan Tërg

Ka përfunduar me sukses operacioni i evakuimit në minierën e Trepçës në Stan Tërg, ku të gjithë minatorët që kishin mbetur të bllokuar tashmë kanë dalë mbi sipërfaqe. Lajmi është konfirmuar pas nxjerrjes së 18 punëtorëve të fundit, të cilët po qëndronin në zgafellë si pasojë e një defekti të rëndë elektrik.

Më herët, menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” kishte sqaruar përmes një njoftimi zyrtar se nga rreth 50 punëtorë sa ishin bllokuar fillimisht, 29 prej tyre kishin arritur të dalin menjëherë, ndërsa 18 të tjerë pritën ndërhyrjen alternative për shkak të bllokimit të liftit, raporton Ekonomia online.

Sipas ndërmarrjes, ky incident erdhi si pasojë e një avarie në linjën 35 kilovolt në Stan Tërg, ku shkëputja e një përcjellësi në hyrje të trafostacionit dëmtoi izolatorët dhe shkaktoi djegie në trafon kryesore që furnizon flotacionin me energji elektrike. Ekipet teknike kanë qenë në teren për të sanuar dëmtimet e stabilimenteve, ndërsa gjendja e minatorëve të evakuuar raportohet të jetë stabile. /Ekonomia online/

 

Exit mobile version