Për shekuj me radhë, trupat e vdekur kanë frymëzuar artistët dhe ilustruesit shkencorë për të krijuar vepra të bukura dhe të hollësishme. Por historitë pas këtyre trupave janë të errëta dhe shpesh të tmerrshme.
Në pikturën e Rembrandt The Anatomy Lesson of Dr Nicolaes Tulp (1632), figura e ndriçuar është një kriminel i ekzekutuar, i disektuar para publikut. Ai nuk ishte një hero antik – thjesht një burrë i dënuar për vjedhje palltoje dimri.
Ekspozita në Thackray Museum of Medicine shfaq printe anatomike që mbulojnë pesë shekuj. Trupat e paraqitur, shpesh anonimë, u përdorën për atlaset mjekësore ose u ekspozuan si “trofe” nga koleksionistët e pasur. Shumë prej tyre nuk dhanë kurrfarë pëlqimi për t’u përdorur në këtë mënyrë.
Gjatë Rilindjes dhe më vonë, artistë si Leonardo da Vinci dhe Michelangelo studionin trupa të disektuar për t’i bërë figurat e tyre më të sakta. Por trupat ishin të vështirë për t’u siguruar; shpesh përdorej një treg i zi ku vjedhnin kufoma nga varret për t’i shitur shkollave mjekësore.
Disa raste janë veçanërisht të errëta. Mary Billion, e vdekur në 1775, u mbajt e ekspozuar nga bashkëshorti i saj për reklamë, ndërsa William Hare dhe William Burke vranë njerëz për të furnizuar shkollën e anatomiës në Edinburg. Shumë ilustrime anatomike idealizojnë trupat, duke përzier artin, shkencën dhe erotizmin, dhe shpesh pasqyrojnë shijet dhe kulturën e kohës.
Në shekullin XX, trupa vazhduan të përdoren për shkencën mjekësore. Atlaset e Eduard Pernkopf (1937) përdornin të burgosur nga nazistët, ndërsa projekti “Visible Human” në vitet 1990 përdori trupin e një të ekzekutuari për të krijuar imazhe 3D të trupit të njeriut.
Ekspozita përpiqet të bëjë vizitorët të reflektojnë mbi pyetjet etike: kush janë trupat që shfaqen në librat anatomikë, kush i vizatonte dhe përse? Dhe sa kemi ndryshuar vërtet si shoqëri në përdorimin e trupave të të vdekurve për shkencë.
“Beneath the Sheets: Anatomy, Art and Power” është në Thackray Museum of Medicine nga 7 Shkurt deri më 21 Qershor.
Marrë dhe përshtatur nga BBC
