Uellsi – Danimarka dhe Italia – Austria, do të jenë dy ndeshjet e para të fazës eliminuese në Euro 2020. E teta e finales do të luhet për katër ditë, derisa më pas do të kompletohet çerekfinalja
Maratonës prej 13 ditësh ndeshje pa ndërprerë në Kampionatin Evropian i erdhi fundi të mërkurën mbrëma, kur edhe u mbyll faza e grupeve.
Me këtë rast, “Euro 2020” pushon dy ditë, të enjten dhe të premten, para se të fillojë faza tjetër.
Evropiani vazhdon të shtunën mbrëma me duelet e para të së tetës së finales.
Takimi i parë do të jetë ai në mes të Uellsit me Danimarkën, shkruan Gazeta Express.
Uellsianët e mbyllën fazën e grupeve në vendin e dytë, prapa Italisë, ndërsa e lanë prapa Zvicrën.
Të prirë nga Gareth Bale dhe Aaron Ramsey, ata e synojnë kualifikimin historik në çerekfinale.
Nga ana tjetër, danezët e siguruan kualifikimin vetëm në xhiron e fundit falë fitores ndaj Rusisë.
Dhe, lojtarët danezë do të luajnë për shokun e tyre, Christian Eriksen, i cili pësoi sulm në zemër.
Ata do të mundohen të shkojnë sa më larg në këtë garë.
E në mbrëmje do të luhet ndeshja tjetër, ajo në mes të Italisë dhe Austrisë.
“Azzurri” nuk dinë për humbje qe 30 ndeshje, respektivisht qe afro tri vjet.
Ata po ashtu nuk kanë pësuar gol qe 11 lojë dhe i shënuan tri fitore në fazën e grupeve.
Prandaj, ekipi i Roberto Mancinit synon ta kalojë edhe pengesën e quajtur Austria dhe ta prek çerekfinalen.
Nga ana tjetër, austriakët përfunduan të dytit në grup me Holandën, Ukrainën e Maqedoninë e Veriut.
Përkundër faktit se përpara do të kenë një kundërshtar të fuqishëm, ata do të provojnë ta bëjnë mrekullinë.