Kombëtarja shqiptare e futbollit vazhdon përgatitjet në Tiranë për dy sfidat e radhës në Nations League, përballë Çekisë më 11 tetor dhe Gjeorgjisë më 14 tetor. Të gjithë lojtarët janë bashkuar me ekipin, ndërsa sot mbrojtësit Mario Mitaj dhe Marash Kumbulla zhvilluan një konferencë për median, ku ndanë mendimet e tyre mbi ndeshjet e ardhshme.
Mitaj, duke folur për ndeshjen me Çekinë, theksoi se kjo skuadër është tashmë një kundërshtar i njohur dhe që ekipi i kuqezinjve e di mirë se çfarë duhet të bëjë për të arritur një rezultat pozitiv. “E dimë kundërshtarin dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Mbrojtja jonë është shumë e fortë, dhe shumica e lojtarëve kanë luajtur me klubet e tyre, çka na jep besim,” deklaroi ai.
Mbrojtësi theksoi se humbja me Gjeorgjinë nuk ka ndikuar në psikologjinë e ekipit dhe se skuadra është e gatshme për sfidat e ardhshme. “Duhet të rikthehemi te fitorja. Kjo humbje nuk duhet të na ndikojë, por të na motivojë për t’u rikthyer më të fortë,” shtoi Mitaj.
Për aventurën e tij të re me Al Itihadin, ai shprehu kënaqësinë për pritjen që ka marrë në Arabinë Saudite, duke theksuar se ambienti është shumë profesional dhe ndihmues. “Jam çuditur me mënyrën si më kanë pritur, sidomos lojtarët që janë gjithmonë afër. Më ndihmojnë të ambientohem,” tha ai.
Kur u pyet se ku mendon se janë më të fortë përballë Çekisë, Mitaj theksoi mbrojtjen: “Besoj se në mbrojtje jemi më të fortë. Qendërmbrojtësit dhe mbrojtësit e krahut kanë shumë minuta në këmbë me klubet e tyre.”
Me optimizëm për sfidat e ardhshme, Mitaj u shpreh se dëshira e ekipit është të fitojë dhe se janë të gatshëm për të dhënë maksimumin në fushë. “E njohim kundërshtarin më mirë se më herët. Jemi më të fortë, besoj,” përfundoi ai./UBTNews/