Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi, ka bërë të ditur se stadiumi nacional është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026, me një vlerë fillestare prej 4 milionë euro.
Në një intervistë për KosovaPress, Bislimi ka theksuar se ky projekt do të shtrihet edhe në vitet në vijim dhe se kostoja totale pritet të tejkalojë shifrën prej 20 milionë euro, duke e cilësuar stadiumin nacional si një domosdoshmëri për vendin.
Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, Bislimi ka sqaruar se stadiumi nacional është diskutuar në kuadër të vlerësimit të nevojave reale të Kosovës për infrastrukturë sportive, ndërsa ka nënvizuar se aktualisht po investohet në mbi 20 stadiume në të gjithë vendin, sipas planit pesëvjeçar për zhvillimin e infrastrukturës futbollistike, i cili kap vlerën mbi 200 milionë euro.
Ai ka shtuar se stadiumi nacional do të jetë i veçantë për nga përmasat dhe standardet inxhinierike e sportive, duke u dalluar nga projektet e tjera ekzistuese.
“Ka të reja sa i përket stadiumit nacional. Është përfshirë në projekt-buxhet të vitit 2026 me një vlerë fillestare prej 4 milionë euro. që pastaj vazhdon në vitet në vazhdim. Me siguri shkon mbi 20 milionë. Besojmë shumë që ky projekt deri në këtë moment është diskutuar vetëm sa i përket vlerësimit të nevojave të vendit tonë për një stadium nacional. Ne po investojmë në mbi 20 stadiume në gjithë Kosovën, sipas planit të dakorduar pesë vjeçar për ngritjen e infrastrukturës futbollistike që përfshin një shifër prej mbi 200 milionë euro.”, bëri të ditur Bislimi.
Sa i përket fazës fillestare, Bislimi ka bërë të ditur se shuma prej 4 milionë eurosh e paraparë për vitin 2026 është e mjaftueshme për përgatitjet teknike dhe nisjen fillestare të punimeve në stadium. Megjithatë, ai ka theksuar se lokacioni i ndërtimit të stadiumit nacional ende nuk është përcaktuar dhe mbetet çështje për t’u vendosur në vazhdim.
