Mediat kroate shkruajnë sot pothuajse në kor se stoperi i Hajdukut dhe i ekipit kombëtar të Shqipërisë, Ardian Ismajli, do ta vazhdojë karrierën e tij në Serie A, konkretisht te debutuesit e Spezia.
Ky lajm konfirmohet nga agjenti i lojtarit, Erkan Sulejmani.
Hajduku pritet të marrë kompensim prej 3 milionë eurosh, me Ismajlin që do të nënshkruajë një kontratë për 4 sezone, në të cilët do të fitojë një total prej 4.2 milionë eurosh.
“Po, është e vërtetë. Pas tri ditë bisedash vendosëm që Ardiani të shkonte te Spezia. Ne, gjithashtu, negociuam me Benevento, por Spezia na bindi me ofertën e saj. Kemi arritur një marrëveshje edhe me Hajdukun”, tha Sulejmani.
23-vjeçari duhet të shkojë në Itali për ekzaminimet mjekësore, pas angazhimeve me përfaqësuesen e Shqipërisë, e udhëhequr nga Edoardo Rey, raporton telesport.
Mbrojtësi nga Kosova do të mungojë sonte ndaj Bjellorusisë, për shkak se është i dëmtuar, por ka shpresa të luajë më 7 shtator ndaj Lituanisë në Tiranë, në kuadrin e Ligës së Kombeve. Ismajli është anëtar i Hajdukut që nga shkurti i vitit 2016, kur mbërriti nga 2 Korriku i Kosovës. Ai ka luajtur 93 ndeshje me këtë klub kroat dhe ka shënuar 2 gola.
Fillimisht përfaqësoi Kosovën, kryesisht deri tek U-21, më pas pranoi ftesën e Shqipërisë, ku u bë titular i fanellës kuqezi, të cilën e ka veshur në 11 ndeshje, deri tani.
Spezia e fitoi promovimin në Serie A përmes “play-off”-it, ku rezultoi më e mirë se Frosinone në finale. Kjo është hera e parë në 114 vjet, që klubi në fjalë do të luajë në kategorinë më të lartë të futbollit italian.