UBT News

E goditur nga lëndimet, Kosova synon “rikuperimin” ndaj Islandës

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka pranuar telashet e mëdha që i ka në ekip para duelit të parë me Përfaqësuesen e Islandës. Kosova të hënën ka nisur përgatitjet, ndërsa të enjten përballet me Islandën në kuadër të ndeshjes së të plejfoit për Ligën B të Ligës së Kombeve. Kjo ndeshje nis nga ora 20:45 dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Në konferencën e mbajtur të hënën u bë e ditur se për shkak të lëndimeve, Kosovës nuk do t’i bashkohen në grumbullim mbrojtësi i krahut, Florent Hadërgjonaj, dhe sulmuesi premtues, Fisnik Asllani. Në dyshim është edhe paraqitja e Amir Rrahmanit. Më herët ishte konfirmuar edhe mungesa e Edon Zhegrovës.

Kapiteni Rrahmani për shkak të lëndimit, të dielën u detyrua të zëvendësohet në minutën e 77-të në barazimin e skuadrës së tij Napoli 0:0 kundër Venezias, në kuadër të javës së 29-të të Serie A.

Por përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, pret fitore në ndeshjen e parë në Prishtinë ndaj Islandës.

“Kemi disa mungesa, tani duhet të gjejmë zgjidhje të reja. E dimë që tani Islanda sulmon shumë mirë, e dimë që është shumë intensive në lojën e saj, është shumë agresive, ka lojtarë të mirë në skuadra si Lille dhe Real Sociedad. Tani më e rëndësishmja është që idenë tonë ta zbatojmë në fushë. Të jenë këto paraqitje tona si kundër Rumanisë dhe shpresoj shumë që do të fitojmë në shtëpi. Duhet të kemi intensitet të shtuar në lojë dhe t’i zbatojmë parimet tona”, ka thënë Foda.

Kosova ndeshjen e kthimit e luan në Murcia të Spanjës më 23 mars. Për Islandën është hera e parë që luan jashtë territorit të saj ndeshje ndërkombëtare si nikoqire. Por është detyruar shkaku i punimeve në stadiumin e tyre. Islanda është një kundërshtar i fuqishëm dhe shanset janë 50-50 që të fitojmë në shtëpi. Mirëpo me atmosferën e ‘Dardanëve’ sigurisht që do të kemi përparësi.

Për të marrë një rezultat të mirë duhet t’i fitojmë dy ndeshjet. Është e rëndësishme që të kemi paraqitje të mirë në fushë, që të paraqitemi si një ekip i përbashkët. Duhet të tregojmë mendësi të fortë dhe shumë me rëndësi është që ta përkrahim njëri-tjetrin në fushë dhe kështu arrihet fitorja, është shprehur Foda.

Foda u është përgjigjur edhe pyetjeve rreth situatës së Rrahmanit dhe Edon Zhegrovës. Për Rrahmanin ka thënë se ka një lëndim të lehtë muskulor, ndërsa do të vlerësohet në ditët e ardhshme nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen në Prishtinë.

“Sigurisht se Edon Zhegrova është një lojtar i rëndësishëm për ekipin A. Është lojtar që e bën dallimin në situatat një kundër një e sidomos në ofensivë është shumë i fuqishëm. Mirëpo tashmë është i lënduar dhe me rëndësi është për ne që të gjejmë një zgjidhje me ata lojtarë të cilët i kemi në dispozicion. Duhet ta gjejmë një zgjidhje, duhet ta krijojmë një skuadër me këto opsione që i kemi”, është shprehur Foda.

Ai ka folur edhe për vendimin e Etnik Brrutit. Brruti iu bashkua Shqipërisë, ndërsa ishte kapiten i Kosovës U21.

Por Foda ka thënë se Brruti nuk ka qenë në planet e tij për ndeshjet ndaj Islandës.

“Kam biseduar personalisht me Brrutin në janar, i kam dhënë sqarime dhe konsultimet e mia lidhur me përmirësimet se ku duhet të përmirësohet, ka qenë një lojtar me perspektiv. Ai ka qenë kapiten i skuadrës U18 e po ashtu edhe lojtar i skuadrës U21. Ka qenë një lojtar me shumë perspektiv, por për mua më shumë ka rëndësi që një lojtar i Kosovës, cilido që të jetë, të luajë me zemër për Kosovën, të vendosë për Kosovën. Tani Brruti ka zgjedhur që ta përfaqësojë dhe është vendimi i tij, që ne duhet ta pranojmë. Nuk ka pasur ftesë për ndeshjet ndaj Islandës, pasi kemi vendosur për lojtarë të tjerë. Por për të ardhmen ka qenë një opsion real për Kosovën A”, ka thënë Foda.

I pyetur pse nuk është ftuar Meriton Korenica, Foda është arsyetuar se konkurrenca është e madhe te Kosova.

“Është e qartë edhe për neve që të gjithë nuk mund të luajnë për Kosovën. Siç e kemi pasur rastin me Elvis Rexhbeqajn, Amir Shaipin dhe Vesel Demakun, nuk i kemi hapësirat e mjaftueshme për të gjithë lojtarët dhe nuk do të marrin të gjithë lojtarët të cilët luajnë futboll ftesë. Mirëpo është shumë e rëndësishme që të jenë të përgjegjshëm”, ka thënë Foda.

Foda ka vlerësuar paraqitjen e Lirjon Abdullahut dhe Dion Gallapenin në kampin e mbajtur në janar. Lavde ka thurur edhe për Vesel Demakun. Po ashtu është diskutuar e ardhmja e Drilon Hazrollajt dhe Milot Avdylit. Ka theksuar se nëse lojtarët dëshirojnë të luajnë për Kosovën, duhet të vendosin me zemër.

“Të gjithë lojtarët që kanë luajtur për Kosovën apo për ata që do të luajnë gjithë lojtarët që kanë pasaportë të Kosovës duhet ta dinë vetë e duhet të jenë vendosur se për cilën kombëtare duan të luajnë. Ata mund të mendojnë të luajnë për Zvicrën, Shqipërinë apo Gjermaninë apo kombëtare të tjera, mirëpo ai lojtar që vendos për Kosovën duhet të vendosë me zemër. Është shumë e rëndësishme është që të gjithë ta kuptojnë këtë. Duhet të jenë të vendosur dhe të tregojnë karakter. Kam kontakte me shumë lojtarë si brenda apo jashtë vendit. Asnjë lojtari nuk i bëj presion, ata duhet të vendosin vetë se për kë dëshirojnë të luajnë. Ata janë përgjegjës për veprimet e tyre”, ka thënë Foda.

Përfaqësuesja e Kosovës më 6 qershor në Prishtinë luan miqësore ndaj Armenisë.  Prej shtatorit, për Kosovën fillojnë kualifikimet për Botërorin 2026. Ndeshjen e parë e ka më 5 shtator ndaj Zvicrës në udhëtim. Kapiten i Zvicrës është Granit Xhaka.

Exit mobile version