UBT News

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi mbetet e pasigurt

Futbollisti brazilian, Vinicius Junior, vazhdon të jetë në qendër të spekulimeve lidhur me të ardhmen e tij te Real Madridi. Ai ka kontratë me klubin spanjoll deri më 30 qershor 2027, por deri tani negociatat për rinovimin e saj nuk kanë përparuar.

Real Madridi i ka ofruar lojtarit një kontratë pesëvjeçare që do ta mbante të lidhur me skuadrën deri në vitin 2030, me një pagë neto prej 20 milionë eurosh në vit. Megjithatë, Vinicius kërkon të paktën 25 milionë euro në vit, duke bërë që negociatat të ngelen në vend.

Klubi është i shqetësuar se performanca e brazilianit mund të ndikojë në ofertat e ardhshme, duke iu referuar edhe rastit të ish-kapitenit Sergio Ramos, i cili përfundoi duke nënshkruar për pagë më të ulët sesa ajo që kishte kërkuar fillimisht.

Sipas raportimeve të mediumit spanjoll Okdiario, Vinicius po konsideron mundësinë e largimit nga Real Madridi para përfundimit të afatit të verës, një informacion që deri më tani nuk është konfirmuar nga burime të tjera.

Një klub i panjohur nga Arabia Saudite raportohet se po përgatit një ofertë prej 130 milionë eurosh për brazilianin, në një përpjekje për të testuar seriozitetin e Realit për ta mbajtur atë në skuadër.

Spekulimet për të ardhmen e Vinicius u shtuan edhe pas paraqitjes së tij si zëvendësues në ndeshjen e fundit të La Liga-s kundër Real Oviedo, duke ngritur dyshime mbi vendosmërinë e trajnerit dhe klubi për të llogaritur te numri 7 i skuadrës.

Vinicius njihet për karakterin impulsiv dhe pasionin e tij në fushë, dhe në disa raste ka marrë vendime ose ka shprehur mendime që më pas i ka rishqyrtuar. Megjithatë, ai ka theksuar se dëshira e tij mbetet të qëndrojë te Real Madridi, nëse ndihet i vlerësuar si një prej yjeve kryesorë të skuadrës.

Exit mobile version