E ardhmja e Ousmane Dembele, ka qenë një temë e nxehtë në Barcelonë këtë vit. Pasi u cilësua si një nga dështimet më të mëdha në historinë e klubit, një kthesë mahnitëse e pa atë të ishte njëri nga lojtarët kyç të Xavit gjatë muajve të fundit të sezonit të kaluar.
Barcelona që atëherë ka kërkuar të bindë Dembelen të vazhdojë kontratën e tij aktuale që skadon në fund të qershorit. Lojtari është i vendosur të qëndrojë në klub, por kërkesat e tij të larta për pagë, kanë ndaluar çdo përparim në marrëveshje.
Barcelona ka dorëzuar ofertën e saj përfundimtare për rinovim, por kjo nuk i kënaq Dembelen dhe agjentin e tij, megjithëse ata ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare për ofertën.
Në të njëjtën kohë, perspektivat e Dembeles për t’u transferuar në gjigantë të tjerë evropianë si Chelsea ose PSG po fillojnë të zvogëlohen ngadalë.
PSG thuhet se ka tërhequr vëmendjen nga ndjekja e yllit francez, ndërsa lojtari ende nuk ka rënë dakord për kushtet personale me Chelsean, por pavarësisht kësaj prioriteti i tij është të qëndrojë në Barcelonë.
Gazetari spanjoll Santi Oval zbulon se Dembele së fundmi ka folur me Xavi për të ardhmen e tij, ku gjatë diskutimit, lojtari ka insistuar se dëshiron të qëndrojë në “Camp Nou” dhe të vazhdojë përparimin e tij nën drejtimin e trajnerit të Barcelonës.
Megjithatë, Xavi i ka kërkuar Dembeles që të bëjë një përpjekje, nëse dëshiron të qëndrojë në klub, dhe të pranojë propozimin përfundimtar të Barçës.
Trajneri i kishte kërkuar gjithashtu bordit të përmirësonte ofertën e tyre përfundimtare, në një përpjekje për ta mbajtur francezin te Barça përtej kësaj vere.