UBT News

Dyshohet se Sami Lushtaku sulmoi fizikisht zëvendësministrin Hysni Mehani në Skenderaj

Zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, dhe aktivisti Bahri Zabeli kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës pas lëndimeve në kokë që morën gjatë një përleshjeje në një kafene në Skenderaj. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Mehani u sulmua nga kryetari i komunës, Sami Lushtaku, dhe truprojat e tij derisa po pinte kafe.

Në reagimin e tyre, Vetëvendosje tha se Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Ky sulm tregon se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje.”

Ndërsa, Sami Lushtaku i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk i sulmoi ai, por se qytetarët reaguan të irrituar nga provokimet.

“Etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan!”, shkroi Lushtaku në Facebook.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi nga organet e rendit që të veprohet menjëherë.

“Mandati publik nuk është mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik. Ftoj organet e rendit të veprojnë menjëherë dhe pa asnjë hezitim”, shkruan Haxhiu.

Policia tashmë ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmit.

Exit mobile version