UBT News

Dyshohet se keqtrajtoi 3-vjeçaren me autizëm, kërkohet shkarkimi i logopedit

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), ka dorëzuar ankesë në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK), pas rikthimit në punë të logopedit nga Gjilani, Iljasa Fazliu.

Ky i fundit dyshohet se ka abuzuar psiqikisht me një vajzë 3-vjeçare e cila vuan nga autizmi. Ai është rikthyer në punë nga SHSKUK-ja javën e kaluar.

QIPS-i ka kërkuar dorëheqjen e Fazliut dhe hetimin e komisionit disiplinor.

“QIPS, me rastin e abuzimit të fëmijës nga Iljasa Fazliu ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe hetimin e komisionit disiplinor me anë të një ankese drejtuar drejtores së ShSKUK, Dr. Narqize Hoxhaj-Arenliu. Me anë të kësaj ankese është njoftuar gjithashtu Inspektorati Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e QIPS-it.

Nga QIPS-i thonë se po presin gjatë kësaj jave një përgjigje ndaj ankesës së tyre, “e cila duhet të rezultojë në shkarkimin e menjëhershëm të Iljasa Fazliut pasi që ai paraqet rrezik për shëndetin publik”.

“Vendime të cilat normalizojnë dhunën dhe amnistojnë abuzuesit në institucione publike nuk duhet të pranohen, rrjedhimisht çdo përgjigje e cila nuk rezulton në shkarkimin e Iljasa Fazliut është e pa pranueshme. Ne shpresojmë se ankesa do të adresohet së shpejti. Në rast se ShSKUK dështon në përgjegjësinë e saj për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, ne do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkimin e Iljasa Fazliut në forma tjera”, përfundon reagimi.

Exit mobile version