UBT News

Dyshohet se helmoi klientët, intervistohet pronari në Han të Elezit

Një pronar lokali është intervistuar nga Policia e Kosovës në Han të Elezit, nën dyshimin për prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur më 13 korrik, ndërsa intervistimi i të dyshuarit është bërë dje.

Dyshimet e para raportojnë se disa persona janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqim në lokalin e të dyshuarit. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e lëndës, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij helmimi.

Ndërkohë, për këtë situatë Klinika Infektive bëri të ditur se po trajton një fluks pacientësh të helmuar nga ushqimi, ku mes 31 të hospitalizuarve janë edhe pesë persona nga komuna e Hanit të Elezit.

Këta të fundit kanë deklaruar se kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion, gjë që lidhet drejtpërdrejt me rastin që po hetohet nga policia. Sipas klinikës, pas analizave të hollësishme laboratorike, 11 raste të këtij fluksi tashmë kanë rezultuar pozitivë me bakterin Salmonella Enteritidis./E.A/

Exit mobile version