UBT News

Dyshohet për helmim nga ushqimi në Han të Elezit, rreth 65 persona kërkojnë trajtim mjekësor

Rreth 65 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në Han të Elezit, pas konsumimit të ushqimeve në dy piceri të ndryshme.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka, ka bërë të ditur se janë marrë mostra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, ndërsa rezultatet ende janë duke u pritur.

Sipas saj, rastet e para me simptoma të dyshuara të helmimit janë paraqitur të hënën rreth orës 16:00, ndërsa numri më i madh i pacientëve është regjistruar nga ora 23:00 deri në orët e hershme të mëngjesit të së martës.

“Trajtim aktualisht po marrin 65 persona. Dyshohet se 65 është numri i personave të dyshuar për helmim, pasi në total janë mbi 90 persona me simptoma të ngjashme, por një pjesë e tyre dyshohet se janë me virozë”, ka deklaruar Kuka.

Tre persona janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se nga data 13 deri më 15 korrik janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Han të Elezit.

Institucionet përkatëse, përfshirë IKShPK-në, janë njoftuar dhe po merren me hetimin e rastit./A.K/

Exit mobile version