Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se ka bllokuar përkohësisht 1,432 njësi të një produkti mjekësor në Spitalin Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, pas dyshimeve se ai mund të mos jetë brenda specifikave të kërkuara të cilësisë.
Bëhet fjalë për infuzionet e llojit Compound Sodium Lactate (500 ml). Alarmi u ngrit fillimisht nga farmacistja përgjegjëse e spitalit, gjë që vuri në lëvizje Inspektoratin Farmaceutik dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM).
Pas një inspektimi të dytë të kryer më 17 qershor, autoritetet urdhëruan bllokimin e menjëhershëm të këtij kontingjenti deri në pranimin e rezultateve nga analizat laboratorike. ShSKUK ka njoftuar opinionin publik se ky është një masë parandaluese dhe se mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e plotë të pacientëve dhe cilësinë e barnave nëpër spitalet publike. /E.A/
