UBT News

Dy vjet pa Ismail Kadarenë, gjeniu i letërsisë shqipe dhe botërore

Sot, më 1 korrik 2026, shënohen dy vjet nga ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe botërore.

Kadare, i lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër, u konsiderua gjerësisht si prozatori më i shquar shqiptar, me një krijimtari të gjerë që përfshin romane, tregime, poezi, drama dhe ese. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës, duke e bërë atë një nga ambasadorët më të njohur të letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së tij letrare, Kadare trajtoi tema universale si totalitarizmi, liria, historia dhe identiteti kombëtar, shpesh përmes një gjuhe simbolike dhe alegorike. Ndër veprat e tij më të njohura përmenden “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Kështjella”, “Prilli i thyer” dhe “Pallati i ëndrrave”, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në letërsinë evropiane.

I formuar në Universitetin e Tiranës dhe në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë, Kadare u kthye në një zë të veçantë letrar që sfidoi kufizimet e kohës dhe solli një vizion kritik ndaj sistemeve totalitare. Pas viteve ’90, ai jetoi mes Francës dhe Shqipërisë, duke vijuar të botojë dhe të mbetet një nga autorët më të lexuar shqiptarë në botë.

Kadare u nderua me çmime të shumta prestigjioze ndërkombëtare, mes tyre “Man Booker International Prize” (2005), “Princesa de Asturias” për Artet (2009) dhe Çmimin “Jerusalem” (2015). Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, një nga institucionet më të larta akademike evropiane.

Dy vjet pas ndarjes së tij nga jeta, vepra e Ismail Kadaresë vazhdon të lexohet, studiohet dhe të mbetet një nga trashëgimitë më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe evropiane të shekullit XX dhe XXI./A.K/

Exit mobile version