UBT News

Dy vëllezër në gjendje të dehur rrahen mes vete dhe sulmojnë policët në Prishtinë

Një përleshje fizike mes dy vëllezërve në Prishtinë ka përfunduar me sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe arrestimin e të dyshuarve.

Rasti është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të policisë, ku incidenti është iniciuar si “sulm ndaj personit zyrtar”.

Sipas raportit policor, dy të dyshuarit fillimisht janë hasur nga policia duke u rrahur dhe grushtuar me njëri-tjetrin. Me të arritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë tentuar t’i qetësojnë dhe t’u japin urdhra, por vëllezërit nuk i kanë përfillur ato. Përkundrazi, të dyshuarit janë kthyer nga policët, duke i sulmuar dhe goditur fizikisht edhe ata.

Si pasojë e përleshjes dhe sulmit, lëndime trupore kanë pësuar si zyrtarët policorë, ashtu edhe vetë të dyshuarit, të cilët kanë pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Me vendim të prokurorit të shtetit, dy vëllezërit – të cilët rezultuan të ishin në gjendje të dehur – janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Intervistimi i tyre nga hetuesit pritet të bëhet sapo të këndellen plotësisht nga efekti i alkoolit, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet. /E.A/

Exit mobile version