Një 17-vjeçar dhe një motoçiklist kanë humbur jetën si pasojë e dy aksidenteve të rënda të ndodhura gjatë ditës së mërkurë në rajonin e Prishtinës.
Aksidenti i parë ka ndodhur pasdite në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, përkatësisht në Çagllavicë, ku një veturë ka goditur për mort këmbësorin e mitur, shtetas britanik. Pavarësisht dërgimit me urgjencë në QKUK, i riu nuk u ka mbijetuar lëndimeve. Shoferit të përfshirë në aksident i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Po ashtu, në mbrëmje një tjetër përplasje fatale ka ndodhur në fshatin Llukar mes një automjeti dhe një motoçiklete. Si pasojë e goditjes, motoçiklisti ka pësuar lëndime mortale, ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Me zbardhjen e shkaqeve të të dyja rasteve po merren njësitet e trafikut rajonal. /E.A/
