Pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, vëmendja e futbollit botëror tashmë është kthyer te edicioni i vitit 2030, i cili do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.
Një nga çështjet më të diskutuara është stadiumi që do të presë finalen e turneut. Aktualisht, gara duket se është mes legjendarit “Santiago Bernabéu” në Madrid dhe stadiumit modern “Hassan II” në Casablanca.
Sipas raportimit të Mundo Deportivo, vendimi përfundimtar do t’i takojë FIFA-s, ndërsa zgjedhjet presidenciale të planifikuara për marsin e vitit të ardhshëm, gjatë Kongresit të 77-të të organizatës, mund të kenë ndikim në këtë proces.
Presidenti aktual i FIFA-s, Gianni Infantino, ka konfirmuar tashmë kandidaturën për një mandat të ri në krye të qeverisë botërore të futbollit. Sipas raportimeve, ai gëzon mbështetjen e shumicës së federatave anëtare, çka e bën favorit për të vazhduar drejtimin e organizatës.
Infantino mori drejtimin e FIFA-s në shkurt të vitit 2016 dhe, nëse rizgjidhet, do të vazhdojë të udhëheqë institucionin edhe gjatë përgatitjeve për Kupën e Botës 2030.
Ndërkohë, mbetet të shihet se cili prej stadiumeve do ta fitojë besimin e FIFA-s për të pritur ndeshjen më të rëndësishme të futbollit botëror, finalen e Kupës së Botës 2030.
D.L
