UBT News

Dy spanjollë në listën e transferimeve të Manchester Unitedit

Manchester United ka filluar të mendojë për objektivat e sezonit të ardhshëm, duke përgatitur edhe listën e futbollistëve që do të synojë të transferojë gjatë merkatos së verës. Mediat britanike bëjnë të ditur se trajneri Erik ten Hag ka hedhur sytë nga futbollistët spanjollë, duke u kërkuar drejtuesve që të sjellin dy prej tyre në “Old Trafford”.

I pari është Dani Olmo, mesfushori i Leipzigut, i cili po shkëlqen në Bundesliga këtë sezon. Mirëpo Olmo ndiqet edhe nga klube të tjera të Premier Leagues, teksa për të siguruar shërbimet e tij, “Djajtë e Kuq” do të duhet të paguajnë 60 milionë euro, aq sa është e parashikuar në klauzolën e kontratës së tij me Leipzig.

Futbollisti tjetër për të cilin bëhet fjalë është sulmuesi Joselu. 34-vjeçari është në pronësi të Espanyolit, mirëpo aktualisht gjendet i huazuar Real Madrid dhe si duket ‘Los Blancos’ nuk do të aktivizojnë blerjen e kartonit të tij.

Plani i Unitedit është të marrin Joselu në “Old Trafford” për një çmim jo më shumë se 5-6 milionë euro dhe ta përdorin si zëvendësues të danezit Rasmus Hojlund, i cili nuk mund të mbajë i vetëm peshën e repartit ofanziv.

Joselu ka luajtur edhe më herët në Premier League gjatë karrierës së tij, ku ka veshur fanellat e klubeve si Stoke City dhe Newcastle, ndaj shihet si emri i duhur për të qëndruar pas shpinës së Hojlund te Manchester United./UBTNews/

Exit mobile version