Policia e Kosovës ka nisur hetimet për dy raste të ndara të vdekjeve që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në rajonin e Prizrenit dhe atë të Dragashit.
Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion për të zbardhur shkaqet e vdekjes.
Në qytetin e Prizrenit, rreth orës 14:15, një grua është gjetur pa shenja jete brenda banesës së saj.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion,” thuhet në raportin e policisë. Rastit i është dhënë kualifikimi “Hetim i vdekjes”.
Një tjetër rast i “Hetimit të vdekjes” është regjistruar edhe në komunën e Dragashit. Sipas policisë, atje është gjetur pa shenja jete një burrë.
Edhe në këtë rast, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje dhe me urdhër të prokurorit trupi është dërguar menjëherë në IML për obduksion, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /E.A/
