Brenda një dite, në qytetin e Pejës janë regjistruar dy raste të ndryshme të dhunës në familje, të cilat kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë së Kosovës.
Rasti i parë ka ndodhur pasditen e së martës, rreth orës 16:50, ku është arrestuar një burrë. Sipas policisë, ai ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje të çastit. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe, për shkaqe sigurie, është dërguar në strehimore së bashku me fëmijët e saj. I dyshuari, pas intervistimit nga organet e rendit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, rasti i dytë është raportuar më vonë gjatë mbrëmjes, rreth orës 22:10. Një burrë ka njoftuar policinë se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga njerka e tij. Viktima po ashtu nuk ka pasur nevojë për tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është shoqëruar në stacionin policor. Pas përfundimit të procedurave të intervistimit, prokurori ka vendosur që ajo të lirohet dhe rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt. /E.A/
