Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se janë evidentuar dy raste të armëmbajtjes pa leje në qytetin e Vitisë dhe Kamenicës.
Në fshatin Tërpezë të Vitisë, një person ka dorëzuar vullnetarisht në stacionin policor një armë zjarri, pasi i kishte skaduar afati i lejes.
Ndërkohë, në fshatin Berivojc të Kamenicës, njësitet policore kanë realizuar një bastisje në shtëpinë e një të dyshuari, ku kanë gjetur dhe konfiskuar dy pushkë gjysmë-automatike, 100 fishekë dhe tetë karikatorë.
Lidhur me të dyja rastet është konsultuar prokurori kompetent, i cili ka udhëzuar që pas intervistimit të personave të dyshuar, ata të lirohen në procedurë të rregullt.
