Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.
Sipas policisë, një burrë rreth 30-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit. Dyshohet se edhe ajo është qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.
Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Sipas informatave të policisë, i dyshuari dhe viktimat dyshohet se kanë pasur lidhje familjare.
I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.
Ngjarja është raportuar rreth orës 14:25 të së premtes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje, i cili ende nuk dihet.
D.L
