Sot dhe nesër, më 27 dhe 28 prill, duke filluar nga ora 19:30, në Prishtinë do të mbahen dy koncerte të veçanta që hapin javën me një program të pasur artistik.
Më 27 prill, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, Orkestra e TKOB-it dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, me soliste Vikena Kamenica, do të sjellin për publikun veprën “Misatango” nga kompozitori Martín Palmeri, duke përcjellë magjinë dhe ritmet karakteristike të tangos. Ndërkaq, më 28 prill, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një koncert tjetër të veçantë me pjesëmarrjen e kornistit të njohur ndërkombëtar Felix Klieser. Ai do të performojë së bashku me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe kornistin Ilir Kodhima, nën dirigjimin e Gregory Charette.
Këto dy mbrëmje koncertale pritet të sjellin një përvojë unike artistike për dashamirët e muzikës klasike në kryeqytet.
