Në kuadër të temës “Personalitete të shquara” dhe në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim një emision të ri pullash postare, i dedikuar dy prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe për fëmijë: Rifat Kukajt dhe Ymer Elshanit.
Rifat Kukaj (1938–2005) ishte mësues, poet dhe dramaturg, i njohur për stilin e thjeshtë, por të ngarkuar me emocione dhe simbolikë.
Ai krijoi një botë të veçantë letrare për fëmijët, duke lënë pas vepra të paharrueshme si: “Xhuxhi nga Taxhuxhi”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Bardhi e Mirushja”, “Rrasa e zogut”, “Shkrepi i diellit”, “Vjollca magjike” dhe shumë poezi të tjera.
Ymer Elshani (1948–1999) ishte poet, prozator dhe kritik letrar, i cili krijoi edhe në fushën e letërsisë për fëmijë, duke sjellë një botë të pasur imagjinare dhe ide të ndjeshme.
Ndër veprat e tij më të njohura renditen: “Çka ëndërrojnë lulet”, “Plaku me violinë”, “Unaza magjike”, “Ndodhitë e hundëkarotës” dhe “Guri i çmueshëm”. Ai u nda nga jeta si martir gjatë luftës në Kosovë, ndërsa pas përfundimit të saj, e bija, Teuta Elshani, botoi disa nga dorëshkrimet e tij të mbetura.
Ky emision i ri i pullave postare vjen si një nderim për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në letërsinë për fëmijë dhe për pasurimin e kulturës shqiptare.

