COVID-19 nuk prek vetëm njerëzit, por edhe botën e kafshëve. Në Antwerp të Belgjikës, dy hipopotamë nga kopshti zoologjik lokal kanë rezultuar pozitivë me këtë virus.
Imani (14 vjeç) dhe Hermien (41 vjeç) mund të jenë rastet e para të kësaj specie gjitarësh të mëdhenj që preken nga koronavirusi, sipas stafit të kopshtit zoologjik.
“Në dijeninë time, kjo është hera e parë në këtë specie. Në mbarë botën, ky virus është raportuar kryesisht te majmunët dhe felinët”, thotë për “The Guardian” veterineri i kopshtit zoologjik, Francis Vercammen.
Këta hipopotamë nuk kanë simptoma të sëmundjes, përveç sekrecioneve, por janë vendosur gjithsesi në karantinë, si masë paraprake për të mbrojtur shëndetin e kafshëve të tjera dhe të vetë punëtorëve.
Tani, kopshti zoologjik belg po heton për të zbuluar se si ka ndodhur infektimi i këtyre kafshëve. Asnjë nga punëtorët e kopshtit zoologjik nuk kishte shfaqur ndonjë simptomë të COVID në javët e fundit, as nuk kishte rezultuar pozitiv, kështu që do të ishte shumë e vështirë që virusin t’ia ketë përcjellë ndonjë prej punëtorëve.