UBT News

Dy golat ndaj Sassuolos e ndryshojnë situatën e Zhegrovës, por e ardhmja mbetet e paqartë

Dy golat e shënuar ndaj Sassuolos kanë përmirësuar ndjeshëm situatën e Edon Zhegrovës te Juventusi, por e ardhmja e sulmuesit kosovar në Torino ende nuk është e sigurt.

Sipas “Tuttomercatoweb”, emri i Zhegrovës vazhdon të përmendet në mesin e lojtarëve që mund të largohen nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit.

Në garë për shërbimet e tij është edhe Atalanta, e cila po e monitoron nga afër situatën e reprezentuesit të Kosovës.

Klubi nga Bergamo po shqyrton mundësinë e huazimit të Zhegrovës me opsion për blerjen e kartonit të tij në fund të sezonit. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur kontakte zyrtare mes dy klubeve dhe Atalanta nuk ka bërë ende ndonjë ofertë konkrete për Juventusin.

Sipas mediumit italian, gjithçka mund të varet nga situata e të dyja skuadrave në janar, si dhe nga roli që Zhegrova do të ketë te Juventusi deri në atë periudhë.

Dy golat ndaj Sassuolos padyshim që i kanë dhënë një shtysë të rëndësishme kosovarit, por mbetet për t’u parë nëse kjo paraqitje do të mjaftojë për ta bindur Juventusin që ta mbajë atë në skuadër.

D.L

Exit mobile version