Dwayne Johnson premtoi se nuk do të përdorin më armë të vërteta në xhirime pas rastit tragjik gjatë xhirimeve të filmit “Rust”.
Aktori, që është edhe pronar i kompanisë së produksionit “Seven Bucks”, i tha revistës Variety të mërkurën se po planifikon të përdorë vetëm armë lodra në xhirime, dhe po synon që të kërkojë edhe nga kompanitë tjera me të cilat do të punojë në të ardhmen që ta adaptojnë këtë praktikë.
“Nuk mund të flas për askënd tjetër, por mund t’ju them se çdo film që do ta realizojmë me produksionin “Seven Bucks”, ndonjë shfaqje televizive, ose çdo gjë që do të bëjmë ose prodhojmë – ne nuk do të përdorim fare armë të vërteta”, tha Johnson.
“Ka protokolle sigurie dhe masa që ne i kemi marrë gjithmonë në industrinë e filmit dhe i marrim shumë seriozisht, dhe xhirimet janë të sigurta, dhe ne jemi krenarë për këtë. Por aksidentet ndodhin”, deklaroi ai.
Aktori Alec Baldwin qëlloi për vdekje kineasten Halyna Hutchins më 21 tetor, teksa po bënte prova për një skenë në filmin e tij “Western Rust”./UBTNews