KF Dukagjini i ka dhënë fund rrugëtimit në edicionin e sivjetmë të UEFA Conference League, pasi u eliminua nga skuadra zvicerane Lugano në raundin e dytë kualifikues.
Pas humbjes minimale 1:0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Zvicër, skuadra nga Klina synoi përmbysjen në takimin e kthimit, por u përball me një kundërshtar superior. Lugano triumfoi me rezultat të thellë 5:1 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, duke siguruar kualifikimin në raundin e ardhshëm me rezultat të përgjithshëm 6:1.
Golin e vetëm për Dukagjinin e realizoi Meris Maliqi, ndërsa për mysafirët shkëlqeu Kevin Behrens me tre gola. Në listën e realizatorëve u regjistrua edhe Daniel dos Santos, ndërsa një autogol i Egzon Sinanit kompletoi fitoren bindëse të skuadrës zvicerane.
Me këtë humbje, Dukagjini përfundon paraqitjen e tij në garat evropiane për këtë sezon, ndërsa Lugano vazhdon rrugëtimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League.
D.L
