Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, më 26 shtator u zgjodh Zëvendëspresident i UEFA-s në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të qeverisë së futbollit evropian.
Një ngjarje e madhe kjo për futbollin shqiptar, ashtu sikurse edhe marrja e të drejtës për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian U-17 në vitin 2025. Presidenti Duka ka komentuar zgjedhjen e tij zëvendëspresident i UEFA-s në një intervistë të dhënë në Supersport. Ai ka treguar se si ndodhi gjithçka, ndërkohë që është ndalur edhe te tema të tjera që lidhen kryesisht me Kombëtaren dhe kualifikimin në “Euro 2024”.
Për zgjedhjen si zëvendëspresident i UEFA-s, Duka ka thënë se nuk e priste një gjë të tillë, por që ideja u propozua nga presidenti Aleksandër Ceferin.
“Unë realisht nuk e kisha menduar, por ishte vetë kreu i UEFA-s që ma propozoi. E pranova dhe e mirëprita. Normalisht në historinë e institucionit, anëtari që merr më shumë vota në Komitetin Ekzekutiv, është kandidat potencial për zv. President”, tha Duka.
Në lidhje me mundësinë që të kandidojë edhe për postin e presidentit të shtëpisë më të madhe të futbollit evropian, Duka ka thënë se do të angazhohet së pari për t’i përmbushur pritshmëritë që kanë nga ai si zëvendës-president.
“Unë sapo jam zgjedhur zv. President dhe kam marrë angazhimin për të plotësuar pritshmëritë e atyre që më kanë zgjedhur. Do të jem shumë i kënaqur të bëj mirë në këtë detyrë. Është kënaqësi të jesh në atë institucion dhe të jesh shqiptar. Është një organizatë shumë e organizuar dhe e përparuar, ndaj jam shumë i kënaqur që jam aty”, theksoi Duka.