Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka kërkuar ndryshime të rëndësishme në projektligjin për donacionet dhe sponsorizimet, duke vlerësuar se nisma e qeverisë është një hap pozitiv për sportin, por ka nevojë për plotësime konkrete për të garantuar financim të qëndrueshëm.
Përmes një reagimi në faqen zyrtare të FSHF-së, Duka ka përshëndetur diskutimet institucionale për këtë çështje, duke rikujtuar se komuniteti i futbollit prej më shumë se një dekade kërkon lehtësira dhe mekanizma më të mirë për nxitjen e sponsorizimeve.
Sipas tij, vetëm FSHF-ja dhe anëtarët e saj kanë paguar 342 milionë e 400 mijë e 806 lekë në tatime dhe kontribute gjatë vitit 2025.
Duke iu referuar studimit të UEFA-s GROË SROI, Duka ka theksuar edhe ndikimin ekonomik, social dhe shëndetësor të futbollit. Sipas të dhënave të vitit 2020, përfitimet nga pjesëmarrja në këtë sport vlerësoheshin në rreth 46 milionë euro në vit, ndërsa me rritjen e numrit të futbollistëve të regjistruar nga 18.587 në 25 mijë, kjo vlerë tashmë llogaritet në rreth 70 milionë euro në vit.
Për këtë arsye, kreu i FSHF-së kërkon që një pjesë e këtij kontributi ekonomik të rikthehet në sport, përmes mbështetjes për fëmijët, akademitë, klubet dhe infrastrukturën sportive.
Ndër propozimet kryesore të Dukës është që sponsorizimi të njihet si pagesë alternative e tatimit mbi fitimin, brenda kufirit prej 30 për qind dhe kushteve të përcaktuara me ligj.
Ai kërkon gjithashtu që fondi i përgjithshëm vjetor për sponsorizimet të rritet në së paku 10 miliardë lekë, nga dy miliardë sa parashihet në projektligjin aktual për artin, kulturën dhe sportin. Sipas tij, ky fond duhet të rritet çdo vit në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe të ardhurat tatimore.
Një tjetër kërkesë është përcaktimi i një kuote të garantuar për futbollin, me ndarje transparente të mjeteve për federatën, klubet e kategorive të ndryshme dhe akademitë, në mënyrë që përkrahja të mos përqendrohet vetëm te klubet e mëdha.
Duka ka kërkuar edhe heqjen e miratimeve paraprake për secilën kontratë sponsorizimi, duke propozuar që kriteret të përcaktohen qartë me ligj, ndërsa kontrolli të realizohet përmes dokumentimit dhe mbikëqyrjes financiare e ligjore.
Në fokus të propozimeve është edhe ndarja e një pjese të fondeve për ndërtimin dhe përmirësimin e fushave sportive dhe hapësirave stërvitore.
Sipas Dukës, vetëm përmes një fondi më të madh dhe rregullave të qarta mund të krijohen kushte më të mira për zhvillimin e sportit, rritjen e numrit të fëmijëve që merren me aktivitete sportive dhe qëndrueshmërinë financiare të klubeve në të gjithë Shqipërinë.
Në fund, FSHF-ja ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë, Kuvendin dhe institucionet e tjera, me synimin që projektligji të sjellë përfitime konkrete për sportin shqiptar.
D.L
