UBT News

Duka: Kemi kualitet për ta mposhtur Çekinë

Presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, Armand Duka është shprehur optimist se Shqipëria mund ta mposht sonte Çekinë në ndeshjen që zhvillohet sonte në “Air Albania” në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.

Pak orë para ndeshjes, Duka ka shkruar në Facebook duke thënë se skuadra e cila e ndjen më pak presionin, do të marr rezultat pozitiv.

“Kjo e enjte e 12 tetorit është një nga ditët më të rëndësishme për Kombëtaren tonë dhe për të gjithë shqiptarët. Luhet ndeshja Shqipëri – Çeki, një nga takimet më emocionuese të grupit tonë. Dita ka filluar me ankth dhe shumë emocione për duelin që do luhet në ‘Air Albania’. Fitore, barazim dhe humbje. Janë tri rezultate në lojë. Dhe sigurisht që në këto raste, skuadra që do të ndjejë më pak presionin dhe që do të menaxhojë më mirë emocionet merr një rezultat pozitiv. Unë jam besimplotë, që pavarësisht ekipit të mirë dhe shumë fizik që kanë çekët, ne gjithashtu kemi kualitetin për ta fituar këtë ndeshje. Dhe e kemi treguar në këtë rrugëtim, që kur luajmë së bashku si një grup, jemi shumë të fortë. E treguam këtë gjë edhe në ndeshjen e 32 ditëve më parë, ndaj Polonisë po në këtë stadium, ku fituam 2-0”, ka shkruar Duka.

Ai ka shtuar se me mbështetjen e tifozëve, skuadra mund t’ia dalë edhe në këtë sfidë.

“Për ne nuk është një ndeshje vendimtare, një sfidë ‘jetë a vdekje’. Presioni është mbi ta. Ne duhet vetëm që të menaxhojmë sa më mirë. Dhe jam i sigurt që me mbështetjen e tifozëve tanë mund t’ia dalim. Sonte duhet të festojmë të gjithë së bashku. Një thirrje kam edhe për tifozët tanë të dashur: të jenë bashkëpunëtorë, të na mbështesin dhe mos të hedhin sende apo mjete piroteknike në fushë. Është në dëmin e të gjithëve”, ka shkruar në fund Duka.

Exit mobile version