Profesori, Bujar Dugolli, i cili ka qenë pjesë në zhvillimet e ndodhura në Rambuje, ka thënë se deklarimet e James Rubin po e tregojnë të vërtetën për rolin që kanë pasur secila prej figurave të asaj kohe.
“Po tregohet e vërteta për kompetencat dhe rolin që e kanë pasur këta në UÇK dhe Rambuje”, ka thënë Dugolli.
Ai shtoi se Hashim Thaçi në momentin që ishte bërë kryesues i delegacionit, kishte marrë autoritet, meqë ishte një konferencë e nivelit të lartë.
“Thaçi kur bëhet kryesues i delegacionit, ka marrë autoritet. Kjo është normale në secilin proces. Duke ditur se UÇK ishte faktor numër 1 në këtë proces për të arritur paqen, anëtarët e tjerë s’kanë dashur që dikusht tjetër të udhëheqë atë. S’e ka pasur autoritetin absolut mbi UÇK-në”, ka shtuar tutje Dugolli.
Marrëveshja e Rambujesë u mbajt afër Parisit në Francë, gjatë periudhës 6 shkurt-23 mars 1999 dhe kishte për qëllim të gjente një zgjidhje paqësore për krizën në Kosovë, që në atë kohë ishte përshkallëzuar në konflikt të armatosur mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo u organizua nga Grupi i Kontaktit (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia)./S.K/EO/