UBT News

Dubois vs Usyk më 19 korrik për unifikimin e katër titujve në peshën e rëndë

Anglezi Daniel Dubois dhe ukrainasi Oleksandr Usyk do të përballen më 19 korrik në stadiumin Wembley të Londrës për titullin kampion absolut të botës në peshën e rëndë, njoftoi BBC.  

Kjo do jetë përballja e dytë, ku 27-vjeçari britanik kërkon hakmarrje pas humbjes ndaj 38-vjeçarit ukrainas në gusht të vitit 2023 në Wroclaw, Poloni.  Lufta e parë përfundoi me ndërprerje në raundin e nëntë.

Dubois mban titullin kampion të botës në peshën e rëndë për versionin IBF, ndërsa Usyk zotëron tre tituj tjerë (WBA, WBO dhe WBC). Ukrainasi shkroi histori në maj të vitit 2024, kur mposhti Tyson Fury për t’u bërë kampioni i parë absolut i botës në peshat e rënda në “epokën me katër rripa”.

Ai e mundi Fury edhe në dhjetor të vitit të kaluar, por duhej të heqë dorë nga titulli IBF para kësaj ndeshjeje, pas kësaj, Daniel Dubois mori titullin IBF dhe e mbrojti atë kundër bashkatdhetarit të tij, Anthony Joshua, në shtator të vitit 2024.

Dubois duhej ta mbronte titullin kundër Joseph Parker, por një sëmundje e detyroi të tërhiqej nga përballja disa ditë para ndeshjes.

“Kjo është ndeshja që kam kërkuar, dhe tani kam mundësinë për hakmarrje. Duhej ta kisha fituar luftën e parë, por vlerësimi i gjyqtarit më pengoi. Tani nuk do të përsëris gabimin para tifozëve të mi në Wembley”, deklaroi Dubois.

Ai shtoi se tani është një luftëtar më i mirë e më i rrezikshëm dhe se Usyk do ta kuptojë këtë në ring. Nëse Dubois fiton, do të bëhet boksieri i parë britanik që do të bashkojë të gjithë titujt botërorë në peshën e rëndë në “epokën me katër rripa”.

Britaniku i fundit që mbajti të tre titujt ishte Lennox Lewis, që fitoi më 1999 duke mundur Evander Holyfield në ndeshjen e dytë pas një barazimi në të parën.

Exit mobile version