Mbrëmja e parë e baletit “Zëri i saj”, dedikuar ikonës së muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, u përcoll me emocione të forta dhe duartrokitje të gjata nga publiku në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Shfaqja u realizua nga Opera e Kosovës në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova” – drejtimi balet, duke sjellë në skenë një homazh artistik për “Bilbilin e Kosovës”.
Organizatorët falënderuan publikun, artistët dhe bashkëpunëtorët për kontributin në realizimin e kësaj mbrëmjeje të veçantë, ndërsa interpretimet e artistëve dhe nxënësve të baletit u vlerësuan për ndjeshmërinë dhe fuqinë artistike.
Baleti “Zëri i saj” vazhdon edhe me natën e dytë, duke premtuar një tjetër mbrëmje të mbushur me art dhe emocion.
