Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka zbuluar librin e radhës në rubrikën e saj mujore “Dua’s Monthly Read” për muajin shtator 2026.
Zgjedhja e saj është romani “Martyr!” i shkrimtarit iraniano-amerikan Kaveh Akbar, një vepër që trajton tema si identiteti, humbja, varësia, arti dhe kërkimi i kuptimit të jetës.
Romani ndjek Cyrus Shams, një të ri iraniano-amerikan që përballet me humbjen e nënës së tij dhe me të kaluarën e varësisë. Nëna e tij humbi jetën në vitin 1988, kur avioni Iran Air Flight 655 u rrëzua pasi u godit nga një kryqëzor amerikan mbi Gjirin Persik.
Ndërsa përpiqet të jetojë në abstinencë dhe të gjejë një kuptim për jetën, Cyrus zhvillon një obsesion me konceptin e martirizimit. Për Duan, pikërisht kjo është një nga idetë që e bën romanin kaq të veçantë.
“Martyr! më bëri të mendoj për martirizimin në mënyra që nuk i kisha konsideruar kurrë më parë”, ka shkruar ajo.
Dua ka vlerësuar gjithashtu mënyrën se si romani e trajton këtë temë përtej konceptit tradicional të sakrificës për një kauzë apo vend. Një pikë kyçe e historisë është takimi i Cyrusit me Orkideh, një artiste e sëmurë përfundimisht, e cila po i kalon ditët e fundit të jetës së saj e ekspozuar në Muzeun e Bruklinit.
“Martyr! vlon nga një energji kaotike dhe një etje për jetën që bie ndesh me obsesionin e Cyrusit për vdekjen”, ka shkruar Dua.
Ajo ka veçuar edhe humorin e pazakontë të romanit, mënyrën se si protagonisti përpiqet të luajë rolin e “njeriut të mirë”, ndërsa punon si aktor mjekësor që simulon dhimbjen për para, si dhe një sekuencë ëndrre ku shfaqet edhe Lisa Simpson.
Për Duan, romani bashkon temat e rënda me humorin dhe një energji të veçantë.
“Ky roman është i thellë, i sinqertë, rregullisht komik dhe krejt ndryshe nga çdo gjë që kam lexuar më parë”, është shprehur ajo.
Me “Martyr!”, Dua Lipa vazhdon traditën e rubrikës së saj mujore të leximit, përmes së cilës ndan me ndjekësit libra që i kanë lënë mbresë dhe nxit interesin për letërsinë te një audiencë e gjerë./A.K/
