UBT News

Dua Lipa ndan momentet e veçanta nga dasma e familjarit të saj në Kosovë: “Po na rritet rrethi”

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka kaluar disa ditë në Kosovë për të marrë pjesë në një aheng familjar. Artistja me origjinë nga Peja ishte e pranishme në dasmën e djalit të hallës, ku iu bashkua të afërmve në një festë me rite e tradita shqiptare.

Pas pamjeve të para të publikuara në rrjetet sociale ku shihej duke vallëzuar mes të ftuarve, vetë këngëtarja ka ndarë në profilin e saj në Instagram momente të veçanta nga dita e festës që nga marrja e nuses e deri te mbrëmja përmbyllëse.

“Kushëriri im u martua me gruan e ëndrrave të tij dhe patëm një dasmë të madhe shqiptare”, ka shkruar ajo krahas fotove e videove, duke e përmbyllur përshkrimin me fjalinë në shqip: “Po na rritet rrethi”.

Pavarësisht karrierës ndërkombëtare dhe jetës jashtë vendit, prania e saj në festa familjare dhe ruajtja e gjuhës e traditave vazhdojnë të dëshmojnë lidhjen e fortë të Dua Lipës me prejardhjen e saj. /E.A/

 

Exit mobile version